Protesta nuk shuhet me dialogje të stilit skuthian

Nga Jeta Dedja

Në një vend që gumëzhin nga protesta disa ditore studentore, e cila po zgjat aspak prej dëshirës së tyre, por për faj të politikave kundër tyre, dalin ca “mendjendritur” egoistë a keqadashës dhe e gjejnë protestën si të papërshtatshme. Në një vend ku media është e kapur prej flokësh a prej hunde, trafiku i rënduar, një ambulancë e ngadalësuar, një makinë që nuk shkon dot në destinacion paraqiten në kronikat a shkrimet e tyre si pasoja e hidhur e protestës kapricioze që duhet të marrë fund. Dhe fajtorët janë ata: Studentët që protestojnë! Makineria e propagandës punon të rekrutojë shkrues e folës me pagesë kundër protestës. Angazhojnë përcarës të hedhin tymnaja e të largojnë vëmendjen nga thelbi. Ndërkohë këto media nuk flasin për shkeljet e të drejtave të njeriut, për kapjen rob të studentëve nëpër salla, për frikësimin e tyre përmes pushtetit hijerëndë por mendjelehtë të Qeverisë Rama. Mediat të shitura a të blera do duhej të ishin në krah të studentëve, e të flisnin jo vetëm për çantat “Prada”, por edhe për atletet e tregut çam apo të “Gabit”. Dhe nga ana tjetër të shkonin e t’i zinin derën kryeministrit e t’i kërkonin hesap për arsimin, që politikat dhe marionetat e tij e kanë transformuar në paçavure jo vetëm në nivelet universitare. Bashkë me studentët do duhej të ngriheshin e të bojkotonin shkollën e mjeruar publike edhe nxënësit që nesër do të jenë studentë. Të protestonin për tekstet, për cilësinë e mësimdhënies, për drejtuesit qesharakë e militantë, për dhunën psikologjike e fizike që ushtrohet mbi fëmijët. Nëse nuk e bëjnë, mbi kurriz të tyre e të prindërve do të bien një ditë kusuret që po heqin studentët e sotëm. Kjo protestë nuk shuhet me dialogje të stilit skuthian në Instagram, Facebook apo auditore universitare të ruajtura nga gardistë. Kjo protestë nuk ka nevojë për negociata ashtu siç bëjnë pushtetarët, ministrat e sekserët e tyre kur shesin copëza Shqipërie për të mbushur llogaritë e shumta bankare. Kjo protestë është legjitime dhe duhet të marrë gjithçka i takon.