REAGIMI/ Pasi e konsideroi “flluskë sapuni”, vjen reagimi i Ndocajt: Dërdëllitjet e ish-policit janë gjuha e hajdutërisë dhe e harbutërisë. ‘Kumbari” i grupeve kriminale do të ketë fundin e tij politik në Lezhë

Pas pronocimit në një media të deputetit Pjerin Ndreu, i cili krahas parashtrimit të “arsyeve” të kandidimit të tij për kreun e bashkisë Lezhë, ka ardhur i mënjëhershëm dhe kundërpërgjigja e rivalit të deritanishëm të shpallur për këtë bashki, Eduart Ndocaj, i cili në reagimin e tij e konsideron Ndreun një “provokim” fyes dhe poshtërues të bërë nga Rama për vlerat e qytetarisë lezhiane, si dhe i kujton atij, të shkuarën plot hije dhe të errrët në karrierën e tij si ish-drejtues i lartë i policisë së shtetit.

Ja reagimi i plotë i Eduart Ndocajt:

Të dashur bashkëqytetarët e mi lezhianë!
Sot, secili nga ne ndjehet i përbuzur dhe i tallur nga një kandidat për kryetar bashkie i Lezhës, i cili vjen si recetë nga Tirana për të mbajtur të dirigjiuar grupet dhe klanet kriminale të lidhuara me pushtetin dhe që e kanë trajtuar Lezhën si një plackë lufte, duke grabitur pronat dhe pasuritë publike të saj. Një ish polic, pa kurrfarë etike dhe pa asnjë shkëlqim në poliitkë, por më së shumti një servil ordiner i kryeministrit Rama, shfaqet në media të ndryshme, duke shpalosur brockulla dhe pa asnjë sens me realitetin. Ky ish polic, karriera e të cilit lidhet ngushtësisht me trafiqet e shumta të paligjshme dhe me një sërë veprash të tjera, për të cilat dhe është detyruar të largohet nga radhët e saj, shfaqet sot si një marionetë e pushtetit të Ramës për të zaptuar këtë arterie të rëndësishme me resurse të mëdha ekonomike, si dhe për të qenë “kumbari” i bashkëveprimit të grupeve të ndryshme me veprimtari kriminale të cilat në qytetin tonë njihen për afrimitetin me ish-policin Ndreu.
Dërdëllitjet e tij duke anatemuar vlerat e qytetarisë sonë, të cilat janë solide dhe të pandashme, janë stili i imponimit të përfaqësuesve të sektit të rilindjes, të cilët u flasin qytetarëve me gjuhën e hajdutërisë dhe të harbutërisë, duke synuar intimidimin e tyre dhe trysninë psikolgjike.
Dua t’i bëj me dije, ish policit Ndreu, se Lezha do të jetë fundi i tij politik dhe nga këto zgjedhje do të marrë një mësim të vyer se derdimenë të tillë, nuk mund të përfaqësojnë asnjë nivel pushteti dhe administrimi.
Lezha ka sqimën e saj civile dhe do të dijë të bëjë zgjedhjen e saj të duhur për fatet e brezave të ardhshëm dhe për perspektivën e saj.
Faleminderit!