Shkrimtarja-Ramës: Kam dy fëmijë studentë në Itali, nuk kam paguar asnjë cent!

Protesta e studentëve ka ngjallur reagime të shumta tek qytetarët. Një reagim është bërë edhe nga shkrimtarja e njohur Ismete Selmanaj Leba. Kjo e fundit jeton prej vitesh në Itali, ndërsa lexoni se çfarë i thotë kryeministrit Rama:

Pashë të gjithë dialogun apo më mirë monologun e KM me studentët e Fakultetit të Gjeologjisë. Pjesa më e madhe ishin profesorë sesa studentë, por kjo pak rëndësi kishte për KM. Zoti Rama theksoi disa herë se përpara se t’i plotësojë 8 pikat e studentëve – të cilat është i gatshëm t’i plotësojë – dëshiron më parë që të dialogoj me ta. Por për çfarë? Njëri nga profesorët i tha shumë qartë: “Tetë pikat i keni dhe përderisa i quani të drejta, futjuni punës për t’i vënë në jetë në mënyrë që t’i kthejmë në shtëpi dhe në sallat e universiteteve studentët!”. Që këtu fillojnë justifikimet e kota dhe të pathemelta të zotit Rama: “Po sikur studentët mos të jenë dakort me atë çfarë do të aprovojmë, ku është parë që mos të bëhet dialog kur dikush bën një kërkesë, për mua le të rrinë edhe dy vjet në rrugë studentët, në asnjë vend të botës universiteti është pa lekë” etj. etj….

Unë po ju them një vend “të botës”, që s’është dhe aq larg nga Shqipëria, i cili e ka universitetin gratis për familjet që kanë të ardhura nën një çati të vënë nga shteti. Dhe nuk flas për familje të varfra, jo! Flas për familje ku të paktën njëri nga prindërit punon dhe merr rrogën bazë të një punëtori që s’ka krahasim me atë të një punëtori në Shqipëri! Ky vend është Italia! Unë kam dy fëmijët e mi studentë dhe nuk kam paguar asnjë cent për ta! E drejta e studimit nuk është vetëm për më të pasurit por duhet t’u garantohet të gjithëve! Pastaj ka raste që studentët për të plotësuar ndonjë tekë të tyre punojnë në fundjavë apo në darkë, siç kanë bërë edhe fëmijët e mi, por ky është një problem tjetër. E dini zoti Rama që djali im është në vitin e fundit të mjekësisë Bologna dhe në shtatorin që vjen do të fillojë specializimin dhe jo vetëm që s’do të paguajë asgjë por ndodh krejt e kundërta, është shteti që e paguan… dhe mirë biles. Besoj duhet ta dini sesa duhet të paguajë një student që ka mbaruar mjekësinë në Shqipëri për specializimin; deri ne 50 mijë euro! Por ky është një krim që i bëhet të ardhmes së tyre! Thatë që godinat e universiteteve janë të amortizuara dhe përmbajnë më shumë studentë sesa projekti për të cilin janë ndërtuar. Shumë mirë që e dini. Po si e zgjidhët ju këtë problem, duke i dhënë autonomi universiteteve të regjistrojnë 2500 studentë në një hapësirë të llogaritur vetëm për 800? I kujt është faji? Sigurisht i ligjit të aprovuar prej qeverisë suaj! Jeni JU fajtori kryesor! Është e kotë që kishit marrë në “monologun” tuaj edhe një nga hartuesit e ligjit të universiteteve! Nëse doni t’i çoni si mish për top hartuesit e tij, është e drejta juaj. Por kjo s’ju heq nga përgjegjësia kryesore! Mund ta zgjidhnit fare mirë problemin e numrit të madh të studentëve me dy rrugë; ose me zgjerimin e godinave ose me uljen e numrit të studentëve. Por nuk e bë asnjëra nga këto, sepse sa më shumë studentë të ketë aq më shumë lekë hyjnë në xhepat e dekanëve e rektorëve që i keni zgjedhur ju. Studentët kanë qenë për ju thjesht si ajo lopa e majme për t’u mjelë.