Studentë, shpëtoni protestën!

LUÇIANO BOÇI/ Nuk ka rëndësi si e quani apo si e thërrasin të tjerët. Protestë ose revoltë. Zemërim apo zgjim. Ju jeni aty për të mos u nëpërkëmbur, poshtëruar, përçmuar më nga askush. Rrëzuat skeptikët, befasuat sunduesit dhe kthyet rininë e munguar dhe të ikur.

Ju keni dalë aty jo thjesht sepse dikush shtoi një gjobë krejt të padrejtë e krejt rastësisht dhe që po kështu dhe mund ta heqë po kaq rastësisht, për të rigjetur prehjen e kolltukut ku është ulur. Ajo është gjoba e njëqindtë që jua vendosin juve dhe familjeve tuaja. Është zhvatja e njëmijtë që ju bëhet. Ju e dini dhe kundërshtuat. U ngritët. Sepse çdo ditë keni marrë nga një padrejtësi, nga një harbutëri, nga një gënjeshtër të radhës. Keni parë portat e së ardhmes t’ju mbyllen një nga një para syve me një kërcitje tallëse. Keni prekur diferencën e papranueshme pasurore, mjerimin e skajshëm. Keni provuar në kurriz llojet e tarifave e taksave që shtohen në progresion të drejtë me ngërdheshjet e Kryeministrit. Tarifë shkollimi, tarifë studimi, tarifë konkurrimi, tarifë regjistrimi – kështu e thotë Ligji i Arsimit të Lartë i Ramës. Tarifë për të shkuar dhe në banjë, së afërmi sipas filozofisë së qeverisjes së tij. Taksë shtëpie, toke, uji, ajri, ballkoni, verande dhe taksë fjale, pse jo. Keni parë shokun që s’mund të paguajë shkollimin, shoqen t’jua marrë emigrimi. Jetoni pa sigurinë se ajo që po studioni do t’ju japë zgjidhjet e dëshiruara dhe do t’ju plotësojë ëndrrën e dëshirën. Shkolloheni në aula jodinjitoze, kushte studimi e jetese mizerabël, ambiente që i konkurron klubi i mëngjesit.

Universiteti publik ku ju jeni, ka pamje inferiore, me pedagogë me paga inferiore, me produkt shkencor inferior e me financa inferiore që vijnë në pjesën më të madhe nga xhepat tuaj. Ku dija është thjesht mall e ku certifikimi i saj si i tillë korruptohet, shitet e blihet brenda një sistemi interesash zinxhir, brenda një tempulli që është kthyer nga i shenjtë, në pazar të rëndomtë shifrash e numrash. Keni provuar përgjatë këtyre viteve sesi “gangsterët” e partisë e zhvlerësojnë dijen tuaj, kapin pushtetin e bëjnë ligjin, qeverisin, bëjnë drogën, shtojnë milionat e zhyten në luksin e pafre, pa u shqetësuar që ndershmëria e ndëshkimi ekziston. Vëzhgoni qeveritarët te “mençurohen” së bashku me pushtetin dhe pasurohen nën ritmin e duartrokitjeve servile.

Prandaj, thirrja juaj, pjesëmarrja dhe nervi politik janë kaq të sinqerta, të vërteta dhe të piskamta.

Po, po, NERVI POLITIK. Mos hezitoni ta pranoni. Nuk është kjo blasfemia. Kjo është pjesë e ADN-së së rinisë.

Ju po kërkoni atë që duhet: ZGJIDHJEN POLITIKE kundër padrejtësisë abuzivizmit, harbutërisë, arrogancës disavjeçare. Mos hezitoni ta pranoni. Ju jeni ngritur kundër sistemit. Jo kundër demokracisë. Kundër një sistemi qeverisës që rrjep, zhvat, instalon antivlerat, vret të ardhmen, koncesionon, pasuron vetveten dhe largon rininë. Kundër pallavrave për reforma që rrënojnë institucionet e kundër ligjeve idiote e klienteliste që degradojnë arsimin, vrasin teatrin, shembin strehë shtëpish e pastrojnë paratë e grabitura e të kriminalizuara. Studentë, beteja juaj është epike. Mbajeni larg anarkisë e ekstremeve që i shërbejnë pushtetit. Mos e drejtoni atë as kundër njëri-tjetrit për shkak diferencash tifozërie e as kundër pedagogëve tuaj. Në shumicën e tyre, pa pjesën abuzive, ata janë në një front me ju. Sot në heshtje, nesër në shesh. Ju jeni atje sepse nuk pranoni kurrë të jeni puthadorë të çmendurisë delirante që drejton vendin e as puthakëmbës të gurusë së radhës që zbret me bujë në këtë vend të drobitur e çorientuar.

Jeni avangarda e frymëzimit politik.

Prandaj mos hezitoni. Mos e mbani protestën larg OPOZITËS qytetare. Shpëtojeni protestën tuaj. Jepini dimension e vlerë absolute protestës, duke e bashkuar me alternativën, me atë që opozita politike, opozita akademike me “Forumin për liri akademike”, opozita studentore kanë parashtruar e shprehur më parë e që sot përputhet me revoltën tuaj. Kështu vjen zgjidhja. E ky nuk është leksioni i radhës në auditorë ku ngrin së ftohti e ku duhet të çirresh që të dëgjojnë. Është praktika e lirisë dhe e demokracisë.

Protesta është opozitarizëm i kulluar dhe të bërit opozitë është front. Nuk ka as ngjyrë e as krah. Opozita, para se të jetë partiake është qytetare e nuk është as blu e as e kuqe, as rozë përgjithmonë. Përkimet me partitë janë rastësore, por bashkimi i vokacioneve, zgjidhjeve, vizioneve ka nevojë për fillin politik. Protesta nuk mund të jetë vegël korrektuese, por mekanizëm për zgjidhjen e situatës. Protesta juaj nuk ka ideologji, por ka kuptim. Nuk është partiake, por është ama politike. Politikë që shërben dhe kërkon zgjidhje. Bëjeni politikën pjesë të mekanizmit të protestës dhe mos u bëni vegël e politikës në emër të depolitizimit, sipas shijes dhe masës së Ramës. Kryeministri juaj politik do t’ju hipi në gishtin e tastierës së iPhonit të tij gjithmonë, për të parë nga aty Stambollin nga facebook-u, insta dhe tëiter-i, sa kohë që ju e shtyni zgjidhjen politike, duke mbajtur distancë me opozitarizmin qytetar, njerëzit opozitarë, banorët opozitarë, të gjithë opozitarët që ju mbështesin, sepse shohin te ju vetveten, pavarësisht moshës, idesë e bindjes partiake.