Tensionohet protesta: Studentët tentojnë të ‘rrethojnë’ kryeministrinë

Prej orës 11:00 qindra studentë janë para kryeministrisë. Në fillim ishte një grup studentësh, por më pas iu bashkuan të tjerë, të cilët në fillim kishin marshuar nëpër rrugët e Tiranës duke bllokuar qarkullimin e makinave në disa akse kryesore.

Por situata ka tensionuar rreth orës 13:30.

Studentët kanë tentuar që të rrethojnë kryeministrinë në mënyrë simbolike, por janë përplasur me forcat e rendit. Protestuesit thonë se policia i ka goditur.

Një grup studentësh kanë dashur që të kalojnë në pjesën e pasme të kryeministrisë, për ta rrethuar atë, por kordoni i policisë i ka penguar, çka ka sjellë dhe një përplase mes tyre.

Duket se në këtë përplasje ka pasur qëndrime të ndryshme nga ana e studentëve, ku një pjesë kanë shtyrë dhe njëri-tjetrin.

“Vendosëm të hiqnim mikrofonin dhe në mënyrë simbolike do të krijonim rrethimin e kryeministrisë duke u bërë kordon, në shenjë simboli se kryeministria është e popullit. Nuk e kuptuam përse policia ndërhyri dhe u sollën me ne sikur të ishim kriminelë. Kordoni po ecte paralelisht me kordonin policor kur unë u godita nga një polici për të më provokuar. Ne nuk duam dhunë, por donim të tregonim që nuk largohemi pa plotësuar kërkesat tona,” tha një student.

Studentët janë shprehur më herë se do të kishte një lëvizje surprizë nga ana e tyre, po nuk dihet nëse kjo synonte rrethimin e kryeministrisë.