Akuzat për korrupsion, Prokurori ndalohet në sallën e gjyqit

Ndalohet në sallën e gjyqit prokurori i Gjirokastrës Spartak Çoçoli.

Ndalimi i tij nga policia është bërë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale të korrupsionit. Ai është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë Gjirokastër. Prokurori akuzohet se ka marrë para për një çështje gjyqësore.

Çështja për të cilën është ndaluar prokurori lidhet me një dosje që ai ka hetuar për rrëmbimin e një vajze adoleshent në Gjirokastër.

Në korrik të vitit të kaluar, një vajzë 17-vjeçare e komunitetit rom në Gjirokastër u denoncua nga prindërit si e rrëmbyer. Më pas, policia arrestoi disa ditë më pas të dyshuarin. Por, vetë vajza ka thënë se ishte larguar me dëshirën e saj nga shtëpia dhe se nuk donte të kthehej më te prindërit.

Ndërkaq, prindërit e vajzës kanë akuzuar publikisht prokurorin se kanë marrë 1 mijë euro për të favorizuar palën e akuzuar dhe se vajzës së tyre i ishte bërë presion, në mënyrë që ajo të lehtësonte pozitat e të dyshyarit me dëshminë e saj.