Bora bllokon banorët dhe pezullon mësimin, ja si është situata në të gjithë vendin

Bora ka mbuluar vendin prej rreth tre ditësh, duke shkaktuar probleme të shumta në disa qarqe.

Mësohet se në zonat malore të Dibrës bora arrin trashësinë deri në 1.5 metër, ç’ka ka sjellë izolimin e shumë banorëve që jetojnë në ato fshatra.

Emergjente është situata në Ostren me rreth 5 mijë banorë, të cilët kanë kërkuar ndihmë pasi mungon energjia elektrike, si dhe nuk ka as kujdes mjekësor.

Aksi nacional Peshkopi-Tiranë qarkullohet me zinxhirë, por situata duket më problematike në rrugët e fshatrave që lidhen me qendrat e banuara si Peshkopi dhe Bulqizë.

Në Tropojë, vijojnë të jenë të bllokuara Lekbibaj, Fierzë, Tropojë e Vjetër, Bytyq. Po ashtu edhe në Kukës të izoluara nga bora janë njësitë, Arrëz, Zapod, Shishtavec.

Mësohet se Rruga e Kombit është e kalueshme me zinxhirë. Në qarkun e Shkodrës vijon të jetë i pezulluar mësimi. Ndërkaq, 6 fshatra të malësisë së Krujës janë ende të bllokuara.

Gjithashtu mësimi është pezulluar në Korçë, Pogradec dhe Devoll.  Ndërsa akset nacionale në këtë zonë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.