LAJMI I FUNDIT/ FUQIZIMI I ROLIT DEMOKRISTIAN, DY PARTI SHPALLIN BASHKIMIN E TYRE. QË SOT, BUSHATI DHE NDOCAJ DREJTOJNË SË BASHKU

Për ti dhënë një impuls më të fuqishëm elektoratit demokristian në Shqipëri, sot, në Hotel Tirana ‘International”, dy nga partitë e fraksioneve të shumta kristiane në spektrin politik shqiptar, partia Aleanca Demokristiane me kryetar Zef Bushati dhe partia Bashkimi Demokristian me kryetar Eduart Ndocaj, përmes një deklarate të përbashkët kanë shpallur bashkimin e tyre në një parti të vetme.

Gjatë kësaj konference të përbashkët, është nënvizuar roli i këtyre partive në jetën politike shqiptare, si dhe është kërkuar me ngulm fuqizimi i faktorit demokristian si premisë e duhur për një demokraci të shëndetshme.

Në deklaratën e përbashkët, të dy përfaqësuesit e partive politike respektive, kanë evidentuar nevojën e një vizioni të ri në spektrin politik demokristian, duke u bërë thirrje dhe subjekteve të tjera që me filozofi kristiane që të bashkohen, me qëllim orientimin e duhur dhe qartësimin e pozicioneve politike, të cilat më së shumti kanë krijuar një konfuzion tek elektorati demokristian.

Në fund të deklaratës së përbashkët, është rënë dakort që partia të emërtohet me emrin Aleanca Demokristiane, me kryetar Zef Bushati dhe sekretar i përgjithshëm Eduart Ndocaj.