Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes letër prefektëve: Merrni masa

Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar një letër 12 prefektëve për marrjen e masave parandaluese për situatën e pritshme emergjente që mund të krijohet nga reshjet dhe ngricat, nga data 03 janar 2019, dhe në vazhdim.

Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar gjithë prefektët e qarqeve, por edhe drejtuesit e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore në nivel rajonal dhe vendore, për marrjen e masave urgjente sipas fushave të përgjegjësisë, për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.

Ministria e Mbrojtjes përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile u ka kërkuar prefektëve të komunikojnë me subjektet kontraktore që këto të venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike, të grumbullojnë sasi të mjaftueshme kripe, etj, për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga dëbora, eliminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien në rrugë, etj.

Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar prefektëve të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë së Shtetit, ARRSH, OSHEE, për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore, veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla dhe anasjelltas, si dhe të punohet për eliminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike të komunitetit, objekteve social-kulturore, spitaleve, etj, për të përballuar sa më mirë situatën që mund të krijohet nga reshjet, ngricat, etj.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë marrë masat dhe janë në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë që pritet të krijohet nga reshjet e borës dhe ngricat që pritet të përfshijnë vendin tonë në ditët në vijim. Strukturat e mbështetjes rajonale të Forcave të Armatosura, me mjete dhe efektivë mbeten të gatshëm të ndërhyjnë aty ku do të ketë probleme, ndërkohë që në gatishmëri janë edhe pilotët dhe helikopterët në Bazën Ajrore të Farkës. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes, është 24 orë në gatishmëri, në ndihmë të përballimit të situatave emergjente.