Surprizat e motit, në fundjavë temperatura deri në -10 gradë

Orët në vijim pritet të sjellin përmirësim të motit duke shtuar kthjellimet në të gjithë vendin. Dita e shtunë mbetet me kthjellime dhe vranësira kalimtare; më të shpeshta në ekstremin jugor, por pa mundur të sjellin reshje.

Edhe e diela do vijojë me kthjellime dhe vranësira kalimtare deri në orët e natës kur rikthehen reshjet në veri, por java tjetër vjen me reshje shiu e dëbore në të gjithë Shqipërinë.

Temperaturat sot janë ulur me 2-3°C në mëngjes ku minimumi ka shënuar -5°C; rënia vijon e ndjeshme sonte natën dhe mëngjesin e së martës kur pritet minimumi -10°C, por një rënie me 2°C sjell mesdita e së shtunës. E diela ruan të njëjtat vlera.

Rajoni: Fundjava vjen pa reshje në pjesën më të madhe të Ballkanit, por pellgu i Egjeut dominohet nga reshje mesatare deri intensive shiu dhe dëbore.

Edhe Italia, nga Qendra në Kalabri do të ketë sërish dëborë megjithatë alarmante mbetet situata në zonën e Alpeve dhe Gjermani, ku fundjava sjell reshje intensive dëbore deri mbi 3m dhe rrezik të lartë nga ortekët e dëborës.