LEZHË/ Gara për kreun e bashkisë, deputeti socialist del publikisht në mbështetje të kandidatit të djathtë demokristian

Zgjedhjet vendore për pushtetin lokal që do të mbahen me 30 qershor të këtij viti, tashmë duket qartazi se do të orientohen nga një garë që do të jetë më shumë se mes dy kahjeve politike.

Në disa bashki të rëndësishme të vendit, kjo garë do të imponojë kandidimin e disa figurave publike që vijnë nga radhët e partive të tjera të spektrit politik shqiptar, sic është rasti i bashkisë së Lezhës, ku demokristianët e Zef Bushatit kanë zyrtarizuar si kandidaturë sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, ish-deputetin Eduart Ndocaj.

Përmes njoftimit të shpallur në profilin e tij publik, kreu i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati ka ndarë me ndjekësit këtë zhvillim jo të papritur, duke marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët e shumtë, të cilët janë solidarizuar me kandidaturën e “kaubojsit”.

Ndër komentet e shumta të bëra pas shpalljes publike të kandidaturës së Ndocajt, spikat mbështetja publike që bën në favor të kësaj kandidature deputeti socialist i qarkut të Lezhës Gjetan Gjetani.

Në dinamikën e zhvillimeve të ndryshme, pritet që në këto zgjedhje të prishet balanca e dominimit të forcave tradicionale politike në disa bashki kryesore, ku Lezha, padyshim mund të ofrojë surpriza të befta.