LEZHË/ Kandidati Ndocaj vijon fushatën: Në lagjen “Gurraj” ka mungesë përgjegjshmërie, pasi janë lënë pas dore, duke e degraduar në çdo aspekt (VIDEO)

Kandidati për kryetar të bashkisë Lezhë, Eduart Ndocaj, përmes një video ka sjellë pamje denoncuese për degradimin infrastrukturor në njërën nga lagjet e qytetit të Lezhës, e cila është lënë në harresë nga investimet konkrete, por dhe nga vëmendja e përditshmërisë së zyrtarëve lokalë dhe atyre të bashkisë.

Ndocaj, sjell imazhe dëshpëruese të lagjes “Gurraj”, duke denoncuar pakujdesinë e autoriteteve lokale dhe indiferentizmin e tyre ndaj zonave të caktuara, ku në të shumtën e rasteve ky indiferentizëm mund të jetë me pasoja për jetët e banorëve. Në vide-denoncim shihen qartë aspekte degraduese të infrastrukturës rrugore dhe mjedisore, por bie në sy degradimi i kabinës elektrike, e cila në atë gjendje është burim rreziku për jetët e banorëve dhe kryesisht të fëmijëve të kësaj lagjeje.

Gjithashtu, kandidati Ndocaj, ka denoncuar fuqishëm dhe mungesën e shërbimeve të bashkisë ndaj kësaj zone, pasi sic shihet qartë nga pamjet vërehen kazanët e mbeturinave të tejmbushur, duke treguar mungesën disaditore të këtij shërbimi në lagjet periferike të qytetit të Lezhës.

Në vijim të fushatës së tij për kreun e bashkisë Lezhë, Ndocaj së bashku me stafin e tij janë të angazhuar për të sjellë risi në mënyrën e organizimit dhe të propagandimit të programit të tij elektoral.