Eduart Ndocaj, i cili kandidoi në votimet e 30 qershorit për Bashkinë e Lezhës, përballë Pjerin Ndreut, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj kandidatit të Rilindjes.
Ndocaj tha se në 30 qershor fituan lezhjanët dhe Shqipëria.

“Ky ishte fundi i bandës së organizuar të Rilindjes që siguron votat me kërcënime dhe blerje. Këto zgjedhje u grabitën, dhe kanë dalë kuti me 300 vota pa asnjë votë timen.

Nuk mund të them se kam marrë 20 mijë, 10 mijë apo 5 mijë vota, por kanë dalë kuti, atje ku ka pasur vëzhgues të pavarur të caktuar nga KQZ, ka ndodhur mbushja e kutive në mënyrën më të turpshme”, tha Ndocaj.

Ai tha se në kutitë që janë numëruar janë gjetur 30 apo 50 vota, në 100 fletë votimi, të mbushura nga e njëjta dorë, pra të manipuluara.

“Pjerin Ndreu nuk do të mund të ulet në Bashkinë e Lezhës, pasi ai do të përfundojë në burg, tepsia e tij është në furrë po piqet”, tha Ndocaj.