Zgjedhjet lokale, PD në Pukë padit komisionerët dhe numëruesit e PS

Partia Demokratike Dega Pukë ka paraqitur ditën e sotme, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, kallëzimin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit penal, në ngarkim të anëtarëve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor Nr.07 dhe 08; të anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numërimit të Zonave Zgjedhore 07 dhe 08, Pukë dhe Fushë Arrëz.

Organizimi dhe administrimi prej tyre i proçesit të votimit të datës 30 qershor, në kundërshtim me Dekretin e Presidentit Nr.11199 datë 11.6.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit Nr.10928, datë 5.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetutes dhe ka si qëllim cënimin e funksionimit ligjor të institucioneve.

Gjithashtu, Partia Demokratike Dega Pukë, ndaj subjekteve të mësipërme, ka paraqitur ndër të tjera kallëzim për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve”, neni 326 i Kodit Penal, pasi ka dyshime të arsyeshme bazuar në monitorimin e bërë nga strukturat e PD-së, referimit nga qytetarët si dhe të dhënave të tjera, se në disa Qendra Votimi në KZAZ-të 07 dhe 08, në Pukë dhe Fushë-Arrëz, ndër të tjera, janë kryer veprime me qëllim manipulimin e rezultatit të votimeve duke falsifikuar nënshkrimet në listat e zgjedhësve, duke cënuar fshehtësinë e votimit, apo lejuar votimin pa qenë prezent qytetarët.

“Ne besojmë se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pukë do të dëshmojë profesionalizëm, paanësi dhe korrektësi në hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje, për zbardhjen e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të cilat kanë sjellë si rezultat mbajtjen e një proçesi votimi të kundraligjshëm si dhe falsifikimin e materialeve zgjedhore me qëllim dokumentimin e një rezultati të manipuluar dhe të pavërtetë dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në këto vepra penale”, thuhet në deklaratën e partisë Demokratike, dega Pukë./InfoPressAlbania/