PRESIONI KRIMINAL, DETYRON TË RINJTË TË BRAKTISIN SHQIPËRINË

Nga Agron PREBIBAJ

Tragjedia e vitit 1997 me hapje deposh armatimi, banda të armatosura i kushtoi Shqipërisë më shumë jetë njerëzore sesa Kosovës në luftë me Serbinë, kjo një ngjarje e dhimbshme shqiptare e cila la të plagosur në shpirt me qindra e mijëra familje të pafajshme. Sot në vitin 2019, menduam se kjo plagë është mbyllur e për të mos u riparë më mes shqiptarëve, por akoma kriminelët zgjatin dorën e presionit e shantazhit ndaj qytetarëve të ndershëm, vetëm sepse ata kërkojnë drejtësi.

Nga burime të brendshme nga Policia e Prokuroria e Tropojës rezulton se qytetari Shpetim Gjongecaj në këto vitet e fundit ju ka drejtuar disa herë këtyre organeve ligjore për zbardhjen e dënimin e autorit apo autorëve që i vranë të vëllain e pafajshëm Gëzim (Hysen)Gjongecaj. Familja Gjongecaj një familje ndër breza qytetarë të ndershëm e korrekt, por përplasja e dy grupeve rivale në Tropojë, në trazirat e 1997-ës, mbetët i vrarë shtetasi i pafajshëm Gëzim(Hysen)Gjongecaj.

Ndërsa sot që thuhet se u vendos rendi e siguria, qëndron krejt e kundërta pasi njerëz të paidentifikuar çojnë presione të herë pas hershme ndaj familjarëve, kërcënime me vrasje nëse nuk heqni dorë nga kërkesa për drejtësi. Pra ky realitet i hidhur shqiptar, të të vrasin dhe nuk ke të drejtë të kërkosh zbardhjen e vrasjes së autorit është prova më e mirë se Policia e Prokuroria bashkëpunojnë me kriminelët duke ju dhënë atyre informacion për denoncimet që ju paraqiten kundër tyre.

Pas presioneve në familjen e qytetarit Gjongecaj mësojmë se djali i tij Arjos Gjongecaj i trembur ka braktisur në moshë të mitur familjen dhe është larguar drejt një vendi të BE-së për sigurinë e jetës. Ja pra, plaga e rihapur për të riun 16-17 vjeçar Arjos Gjongecaj dhe familjes së urtë e qytetare të pa kurrëfarë mëkati, pa tendenca hakmarrje por vetëm që kërkojnë njerëzoren, atë të zbardhjes së kësaj vrasje.

Shqipëri hesapi, kësaj i thonë edhe të vras, por të vras akoma nëse kërkon drejtësi, ky është bashkëpunimi i kriminelit me shtetin.