Sinani: Vizioni për 100% i jep fund atyre që për 20 vjet thanë se dinë gjithçka, por dështuan në shumëçka

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-PSD, Resul Sinani, në fjalimin e tij gjatë tubimit elektoral në Prizren, ka treguar pse është rreshtuar në pas konceptit 100% shtet, raporton Korrespodenti.

“Unë, sado që jam kandidat për deputet në listën e Koalicionit AAK-PSD 100% Kosovë, e llogaris veten si një nga ju, i rreshtuar pas konceptit 100% shtet, jo pse jam pjesë e garës, por sepse besoj dhe jam i bindur se aty është pika e nisjes e po ashtu pika e kthesës që pas 20 vjetësh e orienton kosovën në rrugën e duhur të shtetndërtimit, zhvillimit dhe të integrimeve euro-atlantike!

Jam i rreshtuar ashtu siç jeni të gjithë ju këtu në sallë, e ashtu siç janë edhe shumë të tjerë nëpër të gjithë Kosovën, sepse ky koncept sado që ka lindur, është formësuar dhe është i koalicionit AAK-PSD, është për shtetin e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tij, edhe për kundërshtarët tanë politikë!

Jam rreshtuar si një nga ju, një nga qytetarët e Kosovës që e kam ndërtuar jetën time dhe të familjes sime në Kosovë dhe dua që të jap kontributin tim që edhe fëmijët e mi dhe të gjithë fëmijët e Kosovës, ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, në Kosovë, e jo të ikin nga vendi!”, ka thënë Sinani.